Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist është grup i përbërë nga aktiviste/ë feministe/ë që synon avancimin e idealeve të barazisë gjinore përmes teorisë dhe praktikës feministe. I krijuar mbi parimin e ndërthurjes, kolektivi angazhohet në avancimin e drejtësisë gjinore dhe promovimin e barazisë shoqërore lokale dhe globale.
Me anë të shqyrtimit të historisë, gjinisë, seksualitetit, ekonomisë, shtetit dhe konstrukteve tjera shoqërore, Kolektivi angazhohet në prodhimin e dijeve të kontekstualizuara feministe dhe luftimin e vlerave androcentrike dhe patriarkalizmit. Mbi parimin e vlerësimit të barabartë shoqëror Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist synon grupimin e një mase kritike të aftë për të kundërshtuar dhe luftuar çdo lloj shtypjeje dhe padrejtësie shoqërore dhe institucionale.
Kolektivi lufton patriarkalitetin e institucionalizuar dhe shtypjen e shumëfishtë strukturore në baza identitare, seksizmin, homofobinë, transfobinë, racizmin dhe shtresëzimin ekonomik shoqëror. Me parimet feministe të solidaritetit, rezistencës dhe luftimit të patriarkatit, Kolektivi angazhohet në kultivimin e një shoqërie të barabartë, diverse dhe të lirë. 
Shpërndaje